PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Zgjedhjet rajonale. 113 kandidatë me të shkuar kriminale. Njëri i dënuar për 21 krime të ndryshme

Deri tani, numri më i madh i kandidatëve për zgjedhjet rajonale të dënuar me burg apo me kusht mund të gjendet në radhët e partisë së ekstremistëve Finlandezët e Vërtetë -PS. Gjithsej 45 kandidatë nga kjo parti kanë marrë dënim me burg dhe me kusht në vitet 2012–2021.

PS kishte po aq kandidatë që kanë vuajtur dënimet sa katër parti të tjera të marra sëbashku. Këto parti janë Aleanca e Majtë – VAS (16), Pushteti i takon Popullit – Valta kuuluu kansalle -VKK (14), SDP (8) dhe Kokoomus (7).

Iltalehti hetoi dënimet penale të marra nga të gjithë kandidatët në zgjedhjet rajonale 2012–2021. Hetimi përfshin vepra penale të dënueshme me dy vjet burgim – ose më shumë. Veprat më pak të rënda nuk janë marrë parasysh në hetimin e IL.

Iltalehti publikoi vetëm emrat e kandidatëve që janë dënuar me burgim ose me kusht.

Partia e Turtiainen “delja e zezë”

Aleanca e Majtë kishte numrin e dytë më të madh të kandidatëve të dënuar (16). Në vend të tretë është Valta Kuuluu Kansalle, e sapo krijuar nga Ano Turtiainen, një deputet i përjashtuar nga PS për qëndrimet e tij ekstremiste dhe pro ruse. Ai i mblodhi në mënyrë rrufe emrat për listën e kandidatëve për zgjedhjet rajonale, por 14 prej tyre kishin një dënim penal.

Kur shifrat lidhen me përqindjen e kandidatëve më të cilat konkuron çdo parti, VKK del në vend të parë ër kandidatët me të shkuar kriminale. 6.9 për qind e kandidatëve të kësaj partie janë dënuar të paktën me me kusht. Për PS, kjo shifër është 2.9 për qind.

Mesatarja për të gjitha partitë është 1.1 për qind. Përveç VKK dhe PS, Liike Nyt -LIK(1.7 përqind) dhe Aleanca e Majtë -VAS (1.4 përqind) janë mbi të.

Partia Popullore e Suedezëve – RKP, parti që përfaqëson kryesisht finlandezët që flasin suedisht, nuk kishte qoftë edhe një kandidat të vetëm të dënuar.

Të Gjelbrit – VIHR (0.2 për qind) dhe Kristian Demokratët – KD (0.1 për qind) kanë përqindjen më të ulët të kandidatëve të dënuar. Të Gjelbrit kanë dy prej tyre dhe KD ka vetëm një.

Tre lloje krimesh më të ekspozuara

Shumica e krimeve të kryera nga kandidatët ndahen në afërsisht tre kategori.

Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur dhe shkeljet e rregullave trafikut rrugor janë mjaft të zakonshme.

Në mënyrë të ngjashme, krimet e ndryshme financiare theksohen në dënimet që çojnë në burg.

Kategoria e tretë janë krimet e dhunshme.

Krimet financiare, të tilla si mashtrimi i madh, krimet e kontabilitetit, pandershmëria e debitorit janë kryer nga gjashtëmbëdhjetë kandidatët e PS. Pesëmbëdhjetë nga kandidatët e PS kanë kryer ngarje të makinës në gjendje të dehur.

Një formë e krimit të dhunshëm, mund të gjendet në dhjetë kandidatë të PS.

Një shpërndarje e tillë është edhe për krimet e kryera nga kandidatët e VKK. Ka edhe disa kandidatë të dënuar për vepra penale të drogës dhe shpifje të rëndë.

Kandidatët e Aleancës së Majtë janë dënuar më së shumti për ngarje të makinës në gjendje të dehur pasuar nga krimet financiare dhe disa sulme dhe grabitje.

Socialdemokratët kanë pothuajse numër të njëjtë të dënuarëve për drejtim makine në gjendje të dehur, sulme dhe krime financiare. E njëjta situatë është edhe me kandidatët e Kokoomus.

Një i dënuar për 21 krime të ndryshme

Një nga kandidatët për zgjedhjet rajonale i Partisë së Qendrës – Keskusta ka kryer një numër të madh krimesh.

Mika Karjalainen, kandidat në Sotkamo, është dënuar për gjithsej 21 krime të ndryshme, shumë prej të cilave janë ngarje makine në gjendje të dehur, por ka edhe disa mashtrime dhe vjedhje. Përveç tij, dy kandidatë të tjerë të Qendrës janë dënuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një për mashtrim.

Të dy kandidatët e Gjelbër janë dënuar me kusht për drejtim të rëndë në gjendje të dehur dhe rrezikim të sigurisë rrugore. Kandidatët e Lëvizjes Tani -LIK janë gjithashtu të dënuar kryesisht për ngarje në gjendje të dehur, si edhe për dhunë dhe disa krime financiare.