Pronarët e automjeteve të lodhur me faturat e kripura të karburanteve kanë vendosur të protestojnë duke iu rëne borive të makinave në njëmbëdhjetë qytete të ndryshme fundjavën e ardhshme. Kjo është protesta e katërt me bori që mbahet në vend për të njëjtën çështje.
– Kërkojmë që qeveria të ndryshojë qëndrimin ndaj shoferëve, shoferët nuk duhet të konsiderohen lopë qumështi, thotë Leevi Ruotsalainen, i cili është vënë në krye të këtij organizimi. Vjeshtën e shkuar ai drejtoi një nismë qytetare për uljen e taksës së karburantit.
Ruotsalainen thotë se protesta me bori nuk kanë të bëjnë fare me Convoy, protesta tjetër që vazhdon kundër kufizimeve të pandemisë. Sipas tij, protesta e fundjavës bëhet në një kohë kur qeveria ka në plan të aplikojë masat e planit Transport 12, pjesë e planit të sistemit të transportit për vitin 2032, për të luftuar ngrohjen globale.
Protestat e borive janë planifikuar në Tampere, Jyväskylä, Turku, Kuopio, Lappeenranta, Seinäjoki, Pietarsaari, Oulu, Kajaani dhe Rovaniemi. Ato do të mbahen të premten ose të shtunën, ndërsa në Helsinki është paraparë të mbahet në të dyja ditët.
Kryeministrja Sana Marin tha dje se qeveria po diskuton rrugët e mundshme për të ulur çmimin e karburanteve në këtë krizë energjitike që ka përfshirë mbarë botën. Ajo tha se objektivat kombëtare për klimën mund të frenohen gjatë kësoj kohë krize. Marin i tha Yle se qeveria po shikon për një zgjidhje që jep rezultate të menjëhershme.
Leave a Reply