PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Finlanda, vendi më i pakorruptuar në botë. Shqipëria dhe Kosova ia kalojnë Kinës, Turqisë dhe Rusisë

, , , ,

Nga Artur Kopani

Profili Global i Riskut (GRP) publikon Indeksin Global të Korrupsionit 2021 (GCI). Ky indeks është edicioni i katërt që ofron një vlerësim të gjendjes së korrupsionit dhe krimeve të tjera të jakave të bardha në mbarë botën, konkretisht në 196 vende dhe territore, bazuar në një grup prej 43 treguesish.

Ky version i ri vjen me përmirësime të mëdha, duke përfshirë masa shtesë të rrezikut. Nën-treguesi “White Collar Crime” (krimet e jakave të bardha) është pasuruar me të dhëna për sekretin bankar, sanksionet, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe transparencën e pronësisë përfituese, ndër të tjera. Së bashku me këto zhvillime, profesionistët do të përfitojnë nga mundësitë e përmirësuara të personalizimit për të përmbushur nevojat dhe shqetësimet specifike.

Edicioni i 2021 i GCI është gjithashtu i pari që lëshohet bazuar në të dhënat e mbledhura pas deklarimit të Pandemisë Covid-19.

Këtë vit, Finlanda renditet në krye të GCI, e ndjekur nga Norvegjia, Zelanda e Re, Danimarka dhe Suedia. Këto pesë vende kanë konkurruar në nivelet e larta për 3 vitet e fundit, duke konsoliduar pozitat e tyre drejtuese në GCI.

Shqipëria dhe Kosova më keq se fuqitë e mëdha

Shumë nga ne besojnë se vesi i korrupsionit është një ves që ne shqipptarët e morëm gjatë sundimit otoman, apo u kultivua më shumë gjatë sistemit komunist. Gjithsesi, ky studim i fundit thotë se për korrupsion, ne shqiptarët ua kemi kaluar edhe trashëgimtarëve të Perandorisë Osmane, Turqisë, por edhe qendrave të komunizmit botëror, Rusisë dhe Kinës.

Shqipëria dhe Kosova ndodhen më keq se vendet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Bosnje Hercegovinës. Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë shumë më mirë. Nga ana tjetër, rreziku i korrupsionit në dy vendet tona ështe më lartë se në Kinë dhe Rusi, dy fuqitë e mëdha ekonomike të botës, me një sistem totalitar dhe oligarkist. Edhe Turqia e Erdoganit është më mirë se shtetet e shqiptarëve, pavarësisht se është pothuajse në të njëjtat nivele me Kinën dhe Rusinë.

Kontinenti evropian mbetet rajoni me performancën më të mirë, me rezultatin më të ulët të rrezikut (29.7), shumë përpara Oqeanisë (39.6) dhe Amerikës së Veriut (43.6), respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë në renditjen rajonale.

Vendet më të mira, sipas rajonit janë Kanadaja për Amerikën e Veriut, Uruguai për Amerikën e Jugut, Finlanda për Evropën, Mauritius për Afrikën, Singapori për Azinë dhe Zelanda e Re për Oqeaninë.

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 35-të nga 196 vende dhe territore, ndërsa Kina dhe Rusia qëndrojnë përkatësisht në pozitat e 118-të dhe 120-të.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *