Kryetari i Partisë së Koalicionit, Petteri Orpo, ka shprehur sot qëndrimin e partisë së tij mbi çështjet më të nxehta të fushatës zgjedhore rajonale. Për Helsingin Sanomat ai deklaroi se “duhet lehtësuar hyrja e infermierëve (kujdestarëve) të huaj për të punuar në Finlandë për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore”.
– Vlerësohet se do të kemi nevojë për 200 mijë kujdestarë të rinj deri në vitet 2030. Duke marrë parasysh numrin e atyre që dalin në pension, kjo do të thotë një rritje prej 70 mijë kujdestarësh më shumë se sa janë aktualisht. Nuk ka një rezervë të tillë punonjësish në një Finlandë të plakur, thotë në shpjegimin e tij Petteri Orpo.
– Rregullimet ligjore nuk kthehen në kujdes, nëse në fakt nuk ka kujdestarë. Imigrimi i bazuar në punë është një nga mënyrat kryesore për të adresuar mungesën e kujdestarëve. Përveç kësaj, duhet të përmirësohen atraktiviteti, elasticiteti dhe mirëqenia në punë e atyre që shërbejnë në sektorët e kujdesit.
Ai e shpjegon pikëpamjen e tij si më poshtë:
– Çështjet e pagave zgjidhen mes sindikatave dhe punëdhënësve dhe nuk duhet të ngatërrohen me politikanët. Sot, megjithatë, brenda marrëveshjeve në shkallë kombëtare, një pagë më e mirë mund të miratohet në nivel lokal, për shembull, në bazë të specifikave të punës, shkruan kryetari i Koalicionit.
– Mungesa e infermierëve ka të bëjë me një tërësi problemesh, pra edhe me mjaftueshmërinë e ekspertëve dhe llojin e punës, ku veç ngarkesës, ka një rol edhe menaxhimi dhe kushtet dhe trajtimi që ofrohet në vendin e punës.
Leave a Reply