Propozimi i Ministrisë së Brendshme për t’u dhënë leje qëndrimi emigrantëve të paligjshëm rezulton se ka kundështimin e shumicës së parlamentarëve finlandezë pa shkuar ende për votim në seancë plenare.
Në praktikë, propozimi i Ministrisë do të zbatohej për azilkërkuesit që mbërritën në Finlandë në vitet 2015–2016 dhe kanë qenë në vend për një kohë të gjatë pa leje qëndrimi. Janë rreth 3000 prej tyre dhe kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. Ata qëndrojnë në Finlandë, por nuk kanë një adresë të njohur për autoritetet.
Verkkouutiset, nga përgjigjet e krerëve të grupeve parlamentare, zbulon se nga koalicioni qeveritar, grupet parlamentare të të Gjelbërve, Aleancës së Majtë dhe RKP e minoritetit gjuhësor finlandezo – suedez thonë se mbështesin legalizimin e njëhershëm. Socialdemokratët dhe Partia e Qendrës e kundërshtojnë propozimin.
Nuk ka asnjë grup parlamentar të opozitës që të përkrahë këtë çështje. Qëndrimi negativ shprehet nga Partia e Koalicionit Kombëtar, Finlandezët e Vërtetë, Partia Demokristiane, Lëvizja Tani dhe Pushteti i përket popullit.
Ndërrkohë, Ministria e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë po përgatit një propozim të qeverisë për kujdesin shëndetësor të emigrantëve pa dokumenta.
Leave a Reply