Parlamenti është mbledhur sërish sot pasdite, por votimi mbi Paketën e BE-së për Rimëkëmbjen nga kriza e kororonavirusit ende nuk dihet se kur do të kryhet. Debati mbi paketën stimuluese filloi në ora 2 pasdite të martën dhe përfundoi në 4:24 të mëngjesit të së Mërkurës. Megjithatë, përkundër zgjatjes maratonë prej 14 orësh të debatit, jo të gjithë deputetët patën një mundësi për të folur mbi këtë temë.
Kryetarja e Parlamentit Anu Vehviläinen vendosi të pezullojë seancën për të vazhduar sot. Vehviläinen tha se seanca e diskutimeve mund të zgjatë edhe disa ditë.
Kryeministrja Sanna Marin i ka bërë thirrje opozitës të votojë paketën, e cila i shërben rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë së BE-së dhe të Finlandës. Ajo kundërshtoi pretendimet e opozitës se shumica qeverisëse po ia dorëzonte sovranitetin BE-së. Nuk ka rritje të eksporteve finlandeze, tha ajo, nëse pjesa më e madhe e vendeve të Europës mbetet nën krizë. Marin tha se qeveria i ka marrë parasysh të gjitha vërejtjet e komisionit parlamentar të ligjeve dhe të opozitës për paketën që është paraqitur në parlament.
Deputetët e Partisë Finns mbajtën 24 fjalime
Parlamenti i Finlandës ka një histori të debateve maratonë mbi temat e BE-së. Në vitin 1994, një debat mbi pranimin e Finlandës në Bashkimin Evropian zgjati katër ditë e gjysmë – debati më i gjatë parlamentar në historinë e Finlandës së pas luftës.
Votimi i radhës do të vendoste nëse Finlanda duhet të miratojë paketën e rimëkëmbjes të BE-së prej 750 miliardë euro dhe kornizën shtatë-vjeçare të buxhetit të BE, prej rreth 1,074 miliardë euro. Nëse edhe vetëm një shtet anëtar i BE-së nuk e pranon paketën, plani i rimëkëmbjes nuk do të zbatohet.
Miratimi i parlamentit finlandez kërkon një shumicë prej dy të tretave, kështu që vetëm votat e partive qeverisëse nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur propozimin, dhe për këtë arsye ata kanë nevojë për mbështetjen e Partisë së Koalicionit Kombëtar të opozitës (Kokoomus).
Pjesa tjetër e partive të opozitës planifikojnë të votojnë kundër paketës, ndërsa udhëheqja e Kokoomus u ka dhënë deputetëve të saj vullnet të lirë për të votuar siç dëshirojnë. Nga kjo parti dihet se ka mbështetës dhe kundërshtarë të paketës.
Leave a Reply