Finlanda pritet të jetë gati për aplikim në NATO diku në mesin e muajit maj. Duket se vendimi do të jetë i përbashkët me Suedinë. Mbreti i Suedisë Charles XVI Gustav e ka ftuar Presidentin Sauli Niinistö në Stockholm nga data 17 deri me 18 maj. Duket edhe për të festuar sëbashku.
Për momentin, çështja më delikate në interesin e publikut është se çfarë sigurish speciale ka Finlanda për periudhën disamujore pas paraqitjes së aplikimit për anëtarësim në NATO-n dhe deri në vendimin e pranimit në NATO.
Gazeta suedeze Aftonbladet ka njoftuar se Suedisë i janë dhënë “premtime konkrete sigurie” nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar gjatë procesit të aplikimit në NATO.
Në një intervistë për gazetën IS, Presidenti i Republikës Sauli Niinistö e bën të qartë se Finlanda dhe Suedia janë në të njëjtën linjë.
– Kryetari i Komitetit Suedez të Mbrojtjes përshkroi garancitë që i janë dhënë Suedisë. Ato janë plotësisht identike me ato që kam diskutuar me Stoltenberg, Biden, Johnson dhe Macron, thekson Niinistö.
Sipas tij kjo garanci do të materializohet me faktin se gjatë periudhës së aplikimit do të ketë një prezencë të madhe e të vazhdueshme të trupave të NATO-s dhe stërvitjesh të përbashkëta në gjithë territorin finlandez, sikurse edhe atë suedez.
Lidhur me kërcënimet e Rusisë ndaj Finlandës dhe Suedisë nëse i bashkohen NATO-s, Presidenti Niinistö thotë se:
– Ky është një vazhdim mjaft konsistent i asaj që kemi dëgjuar vite më parë, ndër të tjera, nga Presidenti Putin. Sigurisht që do të thotë se nga sot kur kemi një boshllëk prej gati një mijë kilometrash në kufirin lindor pa prani ushtarake, sigurisht që do të shohim Rusinë duke grupuar ose ngritur baza, grumbulluar trupa dhe gjithashtu armatime të reja në atë zonë. Kjo është bërë mjaft e qartë. Për sa i përket Detit Baltik, duhet të mbahet mend se Kaliningrad është shumë i rëndësishëm për strategjinë ruse dhe se prania ruse në Detin Baltik mund të forcohet.
Presidenti, njëherësh komnandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nuk shikon një rrezik për një sulm ushtarak të Rusisë ndaj Finlandës, megjithëse thotë se ushtria është në gatishmëri.
Presidenti Sauli Niinistö thotë se pikë kthese në vendimin e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s ishte fakti se Putin kërcënoi kundër zgjerimit të NATO-s në lindje. Finlanda dhe Suedia kishin zgjedhur vetë deri më sot mosangazhimin në aleanca ushtarake. Por, Finlanda në NATO ose jo, nuk mund të vendoset në Moskë, pasi ne nuk mund të trajtohemi si zonë e influencës ruse, thotë Presidenti Niinistö.
Presidenti Niinistö lë të kuptohet se është më mirë t’ia dorëzosh sovranitetin NATO-s sesa Rusisë.
Presidenti e pranon se Finlanda ka nevojë për NATO-n, sepse kërcënimet nga Rusia janë rritur.
– Sigurisht, situata jonë e sigurisë ka ndryshuar. Ndryshimi i parë ishte se Rusia po kërkonte të kufizonte sovranitetin e tonë dhe të krijonte një interes të caktuar. Tjetra ishte se Rusia ka përdorur forcën ushtarake në një mënyrë krejt brutale. Dhe kur një fqinj sillet në këtë mënyrë, sigurisht që duhet t’i kushtosh vëmendje.
Leave a Reply