Danimarka ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën sipas së cilës Mbretëria do të dërgojë 300 të burgosur të huaj për të kryer dënimin në Ballkan, raporton AFP.
Kontrata kap vlerën e 15 milionë eurove në vit dhe do t’i mundësojë Danimarkës të marrë me qira 300 qeli nga një burg në Gjilan.
Vendimi është pjesërisht për shkak të mbipopullimit në burgjet daneze, me pothuajse 20 për qind më shumë njerëz të vendosur pas hekurave krahasuar me 2015. Në të njëjtën kohë, numri i gardianëve ka rënë me 18 për qind.
Në fillimin e vitit të kaluar kishte më shumë se 4000 të burgosur, numër që ështe shumë i lartë se numri i qelive në dispozicion.
Marrëveshja ende nuk është ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve dhe sipas Financial Times, të burgosurit e parë ka të ngjarë të dërgohen në vitin 2023. Sipas gazetës, kushtet për të burgosurit duhet të jenë të ngjashme me ato në burgjet daneze.
Nga ana tjetër, politika strikte e Danimarkës për imigracionin qëndron pas vendimit, pasi të burgosurit e dërguar në Kosovë janë shtetas të vendeve të treta që janë dëbuar, thotë ministri danez i Drejtësisë, Nick Hækkerup.
“E ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe kështu nuk do të kryeni këtu dënimet tuaja,” tha Hækkerup, duke iu referuar të burgosurve që dërgohen në Kosovë.
Të burgosurit do të dëbohen nga Kosova pas vuajtjes së dënimit.
Politika strikte e Danimarkës për imigracionin ka çuar gjithashtu në një ligj që lejon krijimin e qendrave të pritjes për azilkërkuesit jashtë Evropës.
Mediat n¨derkombëtare kanë raportuar më herët se edhe Shqipëria është në bisedime me Britaninë e Madhe për një marrëveshje të ngjashme që Kosova ka finalizuar me Danimarkën.
Leave a Reply