Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar 18 raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 2,325 mostrave.
Përgjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë viktimë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 2 qershor janë shëruar 239 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 1,822.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,447 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,243 kanë vdekur.
Deri më tani të paktën një dozë të vaksinës e kanë pranuar 69.686 persona.
Gjiganti farmaceutik Pfizer ka konfirmuar 29 maj për Radion Evropa e Lirë, marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Megjithatë në përgjigje janë ofruar pak detaje mbi marrëveshjen.
Me 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë të premten përmes një postimi në Twitter se këto doza vaksinash do të dërgohen në Kosovë deri në fund të vitit.
Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Leave a Reply