Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka regjistruar të hënën në Kosovë 14 viktima me koronavirus.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Podujevë 3 raste (80, 75, 73 vjeç), Deçan 1 rast (58 vjeç), Gjakovë 1 rast (67 vjeç), Gjilan 1 rast (76 vjeç), Lipjan 1 rast (74 vjeç), Mitrovicë 1 rast (78 vjeç), Obiliq 1 rast (63 vjeç), Prishtinë 1 rast (69 vjeç), Prizren 1 rast (66 vjeç), Shtime 1 rast (66 vjeç), Suharekë 1 rast (83 vjeç), Viti 1 rast (83 vjeç)”, është thënë në njoftim.
Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 277 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 2,047 mostrave.
Kjo nënkupton që 13.5 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë.
IKSHPK-ja ka njoftuar se më 19 prill janë shëruar 411 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 12,285.
Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,794 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,086 kanë vdekur.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë të dielën se një ekip negociues është duke punuar për sigurimin e vaksinave të miratuara nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve dhe Administrata për Ushqim dhe Ilaçe (FDA) në Shtetet e Bashkuara./REL
Leave a Reply