Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka emëruar të martën Besnik Tahirin ministër në detyrë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Tahiri deri më tani ka mbajtur pozitën e zëvendëskryeministrit të parë në Kosovë.
Ky vendim vjen pas njoftimit të bërë nga Meliza Haradinaj-Stublla më 9 mars për dorëheqje nga pozita e ministres.
“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes sime. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, ka thënë Haradinaj Stublla në rrjetin social Facebook.
Haradinaj Stublla i ështe përgjigjur edhe kritikave të nënkryetarit të AAK-së, Pal Lekaj se ajo është nxituar me dorëheqjen. Ndërsa ka kërkuar rinumërimin e votave ¨qe pretendon se i janë vjedhur, ajo ka akuzuar ashpër Lekajn.
“I shokuar nga rezultati i natës së zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit në Gjakovë, ishte pikërisht ky që tregojnë shumë burime se ‘shantazhoi e kërcënoi’ të gjithë mbështetësit e sinqertë të AAKsë që përkrahën kandidatë të tjerë, specifikisht JO atë dhe rrethin e tij të të panjohurve dhe të sapoaderuarve në listë. I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, me siguri që për asnjë arsye të shëndoshë”, ka thënë Haradinaj-Stublla, për Lekajn.
Leave a Reply