PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Maqedoni, opozita sulmon qeverinë për mungesën e vaksinave

,

Kur të gjithë vendet vijojnë imunizimin e popullsisë me vaksinat anti-kovid, opozita vlerëson se Qeverisë i dështojnë një nga një të gjitha planet për furnizim. Sipas VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, mungesa e vaksinave do të ketë pasoja edhe më të rënda mbi popullsinë në vend.

“Ky prolongim i pafund i imunizimit të popullatës, pos që drejtpërdrejt po e rrezikon jetën e qytetarëve tani që vala e tretë e pandemisë është në shfaqje e sipër, ajo po i zbeh skajshmërish edhe shpresat për një hapje graduale të shtetit tonë dhe të ekonomisë vendore. Madje, kur të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së të kenë përfunduar me këtë proces, do të pasojë izolim me pasoja të papara për vendin tonë”, pohoi Orhan Murtezani, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.   

Gjatë 24 orëve të fundit në mbarë Maqedoninë e Veriut nga 3.701 teste të kryera janë regjistruar 722 raste të reja me Covid-19, respektivisht incidencë prej 20%. Në ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se janë shëruar 186 pacientë. Ndërsa betejën me Covid-19 e kanë humbur 9 pacientë. Që nga fillimi i pandemisë, në vend janë regjistruar gjithsej 106.832 raste, prej të cilëve 94.461 janë shëruar, kurse 3.185 kanë ndërruar jetë. Vendi aktualisht ka 9.186 raste aktive.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *