Më 18 maj, Ministria e Punëve të Jashtme të Maqdonisë së Veriut, kishte deklaruar se ia ka komunikuar Moskës vendimin se e shpall “Persona nongrata” një punonjës të të Ambasadës Ruse në Shkup.
Burime nga Shkupi, kanë bërë të ditur se i dëbuari është Vladimir Aleksandrovich Generalov, një pjesëtar i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Federatës së Rusisë, e njohur si GRU.
“Ministria e Punëve të Jashtme (e Maqedonisë së Veriut), në përputhje me Nenin 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, vendosi të deklarojë një diplomat në Ambasadën e Federatës Ruse një person të padëshirueshëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut,” tha ministria në një deklaratë më 18 maj.
“Oficeri i inteligjencës së GRU-së i maskuar si diplomat në Maqedoninë e Veriut, është evidentuar se ka rrezikuar sigurinë nacionale të vendit, duke mbajtur kontakte me një zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë burimi i RTK-së.
Më tej thuhet se Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar që ta ruajë sovranitetin e vendit nga çdo lloj kërcënimi që vjen nga jashtë dhe i cili shihet si tendencë për ta prishur orientimin euro-atlantik të këtij vendi.
“Rusët, përkundër tendencave për të ndikuar në Shkupin zyrtar, nuk ia kanë dalë, dhe shpresoj se nuk do t’ia dalin, që ta çorientojnë rrugën perëndimore në vendit tonë”, ka thënë burimi.
Ai më tej ka thënë se, në të kaluarën ka pasur elementë prorusë në disa vende të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë përpjekur që të krijojnë një amulli në këtë vend, duke filluar nga tensionet ndëretnike, veçmas me shqiptarët dhe qëndrimin e vendit karshi NATO-s.
Vitin e fundit, shumë shtete evropiane kanë dëbuar diplomatë rusë nga ambasadat, të dyshuar si pjesëtarë të shërbimeve sekrete ruse.
Leave a Reply