Hetimet rreth përplasjes së autobuzit robot dhe një makine të parkuar vlerësuan se shkak ishte gabimi njerëzor. Shoferi i sigurisë në autobusin robot që monitoron funksionimin, bëri një parakalim të gabuar në krahun e djathtë, ku ishte parkuar një makinë. Aksidenti ndodhi të hënën në Vuosaari, një lagje e Helsinkit, dhe nuk pati të lënduar.
Roboti është një prodhim estonez i Auve Tech dhe eksperimenti po zbatohet nga kompania finlandeze Roboride. Tori Nieminen, CEO i Roboride, i tha Iltalehtit se përplasja ishte për shkak të një gabimi njerëzor në drejtimin e makinës të bërë nga shoferi i sigurisë së autobusit robot. Sipas Nieminen, në autobus nuk kishte pasagjerë.
Ndërkohë pronari i automjetit të aksidentuar, i cili ishtë në makinë në momentin e përplasjes u shpreh i pakënaqur për dëmshpërblimin. Kompensimi për vlerën e plotë të rregullimit të makinës, sipas pronarit, nuk përfshin edhe përqindjen që i duhet të paguajë në bazë të marrëveshjes me kompaninë e sigurimit, si edhe vlerën e benzinës që u derdh nga makina e tij.
Ky është një eksperiment pilot me autobus që filloi në Vuosaari në fund të shtatorit dhe do të zgjasë deri në fund të nëntorit. Më parë, një eksperiment pilot me autobus ka qenë duke u zhvilluar në zonën metropolitane të Helsinkit në Kiviko, Pasila dhe Hernesaari.
Sipas HSL, roboti do të udhëtojë mes trafikut tjetër. Përveç kësaj, autobusi do të funksionojë me një shpejtësi më të lartë se eksperimentet e mëparshme të ngjashme. Megjithatë, ka një shofer sigurie në autobusin robot që monitoron funksionimin.
Leave a Reply