Qeveria do të kalojë sot Finlandën ose disa rajone në ‘Nivelin 2’ të strategjisë hibride të epidemisë. Ministrat janë mbledhur për të diskutuar futjen e masave të reja që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit. Alarmi i mjekëve se “një valë e trete e virusit po godet Finlandën” po dëgjohet pas shtimit të madh të numrit të infeksioneve të reja.
Finlanda aktualisht është në nivelin e parë në shkallën tre-nivele. Kalimi në nivelin e dytë do të nënkuptojë që rekomandimet dhe udhëzimet për fazën e ‘transmetimit në komunitet’ do të zbatohen në mënyrë që të arrihet një zvogëlim i shpejtë dhe i sigurtë i kontakteve.
Ndërkohë, udhëzimet që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit janë vendosur të shtrëngohen në rajonin e Uusimaa, ku ndodhet edhe Metropoli i Helsinkit, ku është edhe numri më i lartë i infeksioneve të reja.
Duke filluar nga e enjtja 25 shkurt, bizneset si dyqanet dhe palestrat që shërbejnë më shumë se 10 klientë në çdo kohë duhet të sigurojnë që njerëzit të mbajnë një distancë sigurie prej më shumë se dy metra nga njëri-tjetri.
Tre të vdekur
Instituti finlandez për shëndetin dhe mirëqenien (THL) raportoi të mërkurën 590 raste të reja të koronavirusit të konfirmuara nga laboratori, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve që nga fillimi i pandemisë në 55,122. Numri më i lartë i rasteve të reja u zbuluan edhe një herë në rrethin e spitalit të Universitetit të Helsinkit (HUS), me 383 infeksione.
Deri të mërkurën, Finlanda ka regjistruar 737 vdekje të lidhura me virusin, me tre viktima në 24 orët e fundit. 193 persona janë në spital dhe 35 prej tyre në kujdes intensiv. 302.342 persona ose 5.47% e popullsisë) kishin marrë të paktën një dozë vaksinimi.
Spitalet e Helsinkit kanë filluar transferimin e pacientëve në spitale në pjesë të tjera të Finlandës për shkak të një nevoje të shtuar për shtretër të kujdesit intensiv, pasi numri i rasteve Covid-19 rritet në rajonin e kryeqytetit.
Leave a Reply