Dhjetë vitet e shkuara kanë qenë të volitshme për marrjen e kredive për strehim, pasi huamarrësve vështirë se u është dashur të paguajnë interes për kreditë e tyre.
“Situata ka qenë mjaft e dobishme nga këndvështrimi i huamarrësve të hipotekave vitet e fundit. Normat e euriborit kanë qenë në territor negativ dhe kjo në thelb ka nënkuptuar që norma bazë ka qenë zero në shumicën e kontratave të kredisë. Huamarrësit e hipotekave praktikisht kanë paguar vetëm marzhet,” shpjegoi Pasi Kuoppamäki, kryeekonomisti në Danske Bank për Helsingin Sanomat.
Interesi për një kredi për strehim përbëhet nga norma e interesit që merret si referencë dhe përqindja e fitimit të bankës. Marzhet për kreditë për strehim ndryshojnë në bazë të bankave, duke qëndruar në një mesatare prej 0.75 për qind në fund të vitit 2021, sipas Bankës së Finlandës.
Megjithatë, disa shenja të një kthese janë shfaqur. Norma Euribor me maturim 12 muaj, norma më e njohur e referencës për kredinë për banesa në Finlandë, është rritur ndjeshëm që nga e premtja. Ekonomistët u kanë kërkuar huamarrësve që të përgatiten për një rritje të normave të interesit në vitet e ardhshme. Edhe një rritje e lehtë e normës së referencës mund të ketë një ndikim të madh në gjendjen financiare të një huamarrësi.
Rritje e normave të interesit duket të jetë më afër se më parë për shkak të përshpejtimit të inflacionit, ose rritjes së çmimeve te produkteve bazike në treg.
Olli Rehn, Guvernatori i Bankës së Finlandës, deklaroi të premten për Helsingin Sanomat se Banka Qendrore Evropiane (ECB) do të rrisë normën bazë të interesit jo më vonë se vitin e ardhshëm. Klaas Knot, Presidenti i Bankës Qendrore Hollandeze, tha të dielën për Reuters se ai pret një rritje prej 0.25 pikë përqindjeje në tremujorin e fundit të 2022.
Norma u mbyll në -0.31 për qind të hënën, 7 shkurt, duke qëndruar nën zero që nga shkurti 2016.
Bankierët parashikojnë që në 5 vitet e ardshme familjet duhet të përgatiten për norma interesi deri në dy deri në tre përqind, veçanërisht nëse inflacioni vazhdon të përshpejtohet.
Leave a Reply