PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Nesër dita e parë e Ramazanit. Kalendari i faljeve për rajonin e Helsinkit, Turkun dhe Tamperen

, ,

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se muaji i shenjtë i Ramazanit fillon ditën e nesërme, e Shtunë, më 02 Prill 2022.

Ramazani i vitit 2022 dhe zgjat 30 ditë dhe përfundon në perëndim të diellit të dielën, 1 maj.

Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit islamik. Është muaj i agjërimit, lutjes, dhurimit dhe reflektimit për myslimanët në mbarë botën.

Kalendaret e faljeve për qytetet e Finlandës janë publikuar nga bashkësitë lokale dhe besimtarët duhet të jenë të informuar tashmë. Gjithsesi, për të ndihmuar, po sjell për ju kalendarët për qytetet e Helsinkit, Turkut dhe Tamperes.

Më poshtë është urimi i plotë i Bujar Spahiut, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Të dashur besimtarë myslimanë dhe gjithë ju bashkëkombas brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

Nesër, myslimanët në Shqipëri dhe mbarë botën nisin një rrugëtim të lartësimit shpirtëror, moral, pse jo edhe shëndetësor.

Ramazani është muaj në të cilin mëshira, paqja dhe begatia e Zotit përfshin çdokënd.

Ramazani është muaji i zbritjes së librit, Kuranit të Shenjtë.

Libër i cili është fjala e Zotit që erdhi te ne nëpërmjet Profetit Muhamed (a.s.), është udhëzuesi ynë shpirtëror dhe social.

Të dashur besimtarë!

Agjërimi nënkupton vetëpërmbajtjen e besimtarëve nga një sërë kënaqësish të kësaj bote, siç janë ushqimet, pijet etj, por Ramazani është edhe vetëpërmbajtje e lartë dhe largim nga çdo ves apo vepër e papërshtatshme.

Ky muaj është afrim i njeriut me Krijuesin dhe përjetim shpirtëror i pa krahasueshëm për këdo.

Ky muaj është paqe, solidaritet, mirësjellje.

Në këto kohë të trazuara që po kalon bota, lutemi për më shumë paqe e solidaritet midis njëri-tjetrit dhe midis popujve e kombeve.

Lutemi për më shumë kujdes e vëmendje ndaj nevojtarëve, jetimëve, të moshuarve e fëmijëve.

Rrugëtimi ynë i përbashkët kërkon motivacion të lartë, për t’i tejkaluar sfidat, për një të ardhme më të mirë të vendit.

Së fundi, doja të uroja e inkurajoja përzemërsisht agjëruesit për herë të parë.

Niseni agjërimin, është një adhurim që do t’ju ndryshojë jetën dhe këndvështrimin për të!

I lutem Zotit të gjithësisë të na pranojë lutjet, adhurimet dhe çdo vepër të mirë në këtë muaj të bekuar.

Gëzuar muajin e Ramazanit!”

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *