Qeveria e Kosovës dhe shteti i Kroacisë, kanë thënë se nuk mund të jenë garantues për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale në Hagë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase garancia nuk kërkohet as nga shteti amë.
“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantues, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu përmes një përgjigje me shkrim.
Sipas përgjigjes së zëdhënësit të qeverisë, “gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por, Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”.
Millanoviq: Kjo është e pamundur
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka thënë se nuk mund të ofrojë garanci për ish-homologun e tij, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Aktakuza ndaj Thaçit sipas presidentit kroat Zoran Millanoviq, është mënyrë për ta dështuar rajonin.
“Tani dikush në çarshinë e Beogradit ndoshta do të ma zë për të madhe, por unë nuk jam armik i serbëve, as kam qenë, as nuk do të jem kurrë. Thjesht mendoj se është e dëmshme. Thaçi është dashur të ishte akuzuar ose të ishte lënë i qetë, sepse disa njerëz nga Beogradi kalojnë lehtë (të paprekur)”, tha Millanoviq.
Ai është i bindur se Thaçi ka të ngjarë të arrijë pleqërinë para gjykatës, për shkak të akuzave “të paprovuara” në raportin e Këshillit të Evropës, lidhur me pretendimin për trafikim të organeve.
“Në këtë kuptim, konsideroj që kjo është dëmtuese, por nuk kam ofruar kurrfarë garancish – jo, dhe as që mundem ta bëj këtë. Kjo, thjesht është e pamundur. Edhe po të kisha thënë kështu, unë e kam të pamundur ta bëj këtë”, ka thënë Millanoviq.
Ai ka shtuar që Kroacia nuk do ta bënte atë që e ka bërë Hungaria, si anëtare e BE-së – që t’i japë azil ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevskit, i cili kishte ikur në Hungari, në mënyrë që t’i shmangej dënimit me burg prej dy vjetësh, për shkak të korrupsionit.
Edhe Presidenca thotë se Kosova nuk mund të jetë garantuese
Këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë garantuese për mbrojtjen në liri të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Çështja e garancisë është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina.
“Nëse trupi gjykues në të ardhmen, mund ta kërkojë ose mund ta konsiderojë si vlerë të shtuar garancionin nga ana e institucioneve të Kosovës për rastet në të ardhmen, Kosova hyn në kuadër të shteteve të treta, vendeve të treta dhe mund të japë garanca të tilla”, tha Miftaraj.
Sipas tij, kjo nuk mund të bëhet në këtë fazë, pasi “Gjykata Speciale nuk ka kërkuar garancione dhe institucionet e Kosovës nuk mund të japin garancione të tilla në këtë fazë”.
Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, ditë më parë ka deklaruar se Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale, të krerëve të UÇK-së.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës, por nga kjo parti nuk kanë komentuar lidhur me këtë.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.
Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Leave a Reply