Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të sotëm në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se takimi ka qenë konstruktiv nga pala kosovare, por jo edhe nga delegacioni serb.
“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces, i cili është i vështirë. Derisa pala tjetër fliste për ide të vjetra, ne dhamë katër propozime të reja. Propozuam të iniciojmë marrëveshjen e re SEFTA, ku gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, të cilin e kanë shtetet si Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE-në. Propozim i dytë ishte që një ditë pas samitit të djeshëm të NATO-s, ku u dhanë porosi të qarta dhe unanime, të nënshkruhet marrëveshja e paqes mes Kosovës e Serbisë që s’do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Propozimi tjetër ishte që te çështja e të pagjeturve, duhet të largohet nga delegacioni serb, Velkjo Odaloviq, i cili bashkë me Zoran Angjelkoviqin e kanë udhëhequr Kosovën e okupuar, siç e kanë quajtur atëherë Qarkun e Kosovës. Dhe propozimi i katërt, për pakicat, ishte reciprociteti bilateral, që është parim i përgjithshëm, ku për serbët në Kosovë do të kishim Këshill Nacional siç është në Serbi për shqiptarët e boshnjakët. Tri propozimet tona të fundit u refuzuan, por për SEFTA-n nuk dhanë përgjigje. Shpresoj se do ta konsiderojnë seriozisht propozimin tonë që e bëmë sot”, ka thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit ka deklaruar se Albin Kurti ka ardhur në Bruksel për të thënë se nuk do të arrijë marrëveshje për asgjë. Vuçiq ka thënë se gjatë këtij takimi ka pasur ‘provokime’ dhe se ka parë shumë papërgjegjësi dhe joseriozitet tek pala kosovare.
Megjithatë, sipas tij, Serbia do të jetë e përkushtuar ndaj dialogut dhe konfirmoi se është arritur pajtueshmëria që raundi i ardhshëm të mbahet deri në fund të këtij muaji. “Sinqerisht nuk di çfarë t’iu them. Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky. Vetë kohëzgjatja e takimit flet për atë se cilat ishin rezultatet e këtij takimi. U pajtuam që deri në fund të korrikut të vazhdojmë dialogun. Shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë paqen dhe stabilitetin, gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, ka thënë Vuçiq para mediave. Ai tutje theksoi se janë tri lajme të rëndësishme nga ky takim: “E para se delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet të cilat i ka nënshkruar, nuk duan të diskutojnë për Asociacionin e Komunave Serbe. E dyta ata kërkuan urgjentisht dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur. E treta e quajnë incident dhe provokim faktin që serbët duan të marrin pjesë në liturgji në kishat e tyre, pasi mbase tokat për ato kisha janë dhënë në kohën e Millosheviqit. Unë isha i butë dhe nuk doja të shprehesha, kjo është mungesë e realitetit, seriozitetit dhe përgjegjësisë”, ka shtuar presidenti serb.
Ndërkohë është rënë dakord që të liderët të ritakohen me 25 korrik në Bruksel.
Leave a Reply