PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

BE: Kurti dhe Vuçiq takohen me 15 qershor

, , ,

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor, njoftoi të mërkurën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Do të jetë ky takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Procesi i bisedimeve ka ngecur vjeshtën e vitit të kaluar, kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Përpara konfirmimit të datës për rinisjen e procesit, zyrtarët e të dyja palëve kanë vazhduar me deklarata kontradiktore në lidhje me këtë Asociacion.

Kurti ka thënë se nuk mund të formohet asnjë asociacion njëetnik, ndërsa Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Kurti, në disa raste, ka thënë se takimi i tij me Vuçiqin, në kontekst të dialogut, nuk do të jetë vazhdim i dialogut, por “fillim i procesit të ri”.

Megjithatë, BE-ja këmbëngul se gjatë procesit të dialogut do të flitet për të gjitha çështjet që janë hapur më herët.

“Të gjitha çështjet që janë diskutuar deri më tani dhe që do të diskutohen në të ardhmen brenda këtij dialogu të vazhdueshëm, janë thelbësore për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano javën e kaluar.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

“Kjo do të thotë që gjithçka që është rënë dakord, duhet të zbatohet”, ka thënë Stano.

Me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *