Një krim i rëndë ka ndodhur në qytetin Porvoo, rreth 60 km në verilindje të Helsinkit, për të cilin policia ka dhënë jo shumë detaje.
Byroja Kombëtare e Hetimit thotë se është duke hetuar një vrasje të dyfishtë në Porvoo. Policia gjeti një grua të vdekur dhe një fëmijë nën moshën shkollore në shtëpinë e tyre në Porvoo. Fëmija dhe gruaja, sipas policisë, dyshohet se janë viktima të një krimi.
Kreu i hetimit, Komisioneri i Krimit Jan Aarnisalo nga Byroja Kombëtare e Hetimit nuk pranon të komentojë detajet e rastit, si edhe për rrethanat në të cilat policia ishte lajmëruar për krimin në këtë banesë.
Policia tha se edhe babai i fëmijës është gjetur i vdekur në Helsinki. Aarnisalo nuk komentoi rolin e babait në hetimin e vrasjes, apo nëse ka dyshime për krim brenda familjes. Gjithashtu, kreu i hetimit nuk konfirmon nëse burri, gruaja dhe fëmija i gjetur të vdekur jetonin në të njëjtën adresë.
Lajmi është tronditës dhe i trishtuar, dhe sigurisht që prek të gjithë në Porvoo, thotë kryebashkiaku Jukka-Pekka Ujula në njoftimin për shtyp të qytetit, i cili njëherësh po i ofron mbështetje psikosociale të afrërmve të viktimave, por edhe qytetarëve të tjerë të traumatizuar nga lajmi i kobshëm.
Leave a Reply