PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Revista britanike Financial Times: Luftë me Rusinë? Finlanda ka një plan për këtë

, , ,

Luftë me Rusinë? Finlanda ka një plan për këtë.

Ky është titulli i gazetës prestigjioze britanike të biznesit Financial Times, e cila botoi një artikull të hënën duke vlerësuar përgatitjet e Finlandës për luftë ose një situatë tjetër të jashtëzakonshme. Sipas saj, Finlanda do të jetë gati nëse frika më e keqe në Evropë materializohet dhe konflikti në Ukrainë përhapet në vendet e tjera fqinje të Rusisë.

Sipas gazetës, pas përvojës së Luftës së Dytë Botërore, në Finlandë është krijuar një sistem gjithëpërfshirës sigurie, në të cilin pjesë të ndryshme të shoqërisë përgatiten vetë për situata krize. Finlanda ka rezerva ushqimore dhe ilaçesh dhe karburant për muaj të tërë, vendstrehime nëntokësore për të gjithë popullsinë dhe një forcë rezerviste ushtarake që përfshin një të tretën e popullsisë totale.

Legjislacioni është reformuar gjithashtu për të funksionuar në një situatë krize. Artikulli përshkruan edhe operacionet e Qendrës së Sigurisë së Furnizimit dhe kurset e mbrojtjes kombëtare, të cilat ndiqen jo vetëm nga vendimmarrësit, por edhe nga përfaqësues të botës së biznesit dhe medias.

– Shoqëria jonë është përgatitur për këtë dhe ne jemi duke u trajnuar për këtë situatë që nga Lufta e Dytë Botërore, thotë Tytti Tuppurainen, ministër për Evropën.

Sips Financial Times, përgatitjet janë kryesisht për shkak të Luftës së Dimrit të 1939-1940, në fund të së cilës Finlanda humbi një pjesë të madhe të territorit të saj dhe një nga qytetet e saj më të rëndësishme, Vyborg.

– Ne kemi pasur shumë herë në histori eksperienca të vështira. Nuk e kemi harruar, është në ADN-në tonë. Për këtë arsye, ne e kemi ruajtur me kujdes qëndrueshmërinë tonë ndaj krizës, thotë Presidenti i Republikës Sauli Niinistö në një intervistë për revistën.

Niinistö gjithashtu thekson se sipas sondazheve, rreth tre nga katër finlandezë janë gati të luftojnë për vendin e tyre. Numri është më i madhi në Evropë.

Ish-komandanti i Forcave të Mbrojtjes, Jarno Lindberg përshkruan veprimet ushtarake finlandeze në një situatë të mundshme krize. Kjo përfshin, për shembull, vendosjen e gjuajtësve në rrugët e largëta të vendit dhe minimin e rrugëve kryesore të transportit.

Specialitetet finlandeze përfshijnë gjithashtu mbrojtjen e operacioneve ushtarake në nëntokë. Sipas Lindberg, Helsinki, me të gjitha tunelet e tij, i ngjan djathit zviceran. Sipas tij, të gjitha qendrat e komandës ushtarake ndodhen nën granit 30-40 metra të trashë.

– Ka vende atje që janë si në filmat e James Bond, thotë Lindberg.

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *