Në të gjithë botën ka rreth 6.3 miliardë tonë metrikë mbetje plastike. Janë në ujin tonë, ajrin tonë, peshkun që hamë dhe tokën ku rriten perimet tona.
Në fakt, vetëm 21% e të gjithë plastikës së prodhuar gjer më tani është ricikluar ose djegur. Pra, gjetja e mënyrave të reja për ta ripërdorur është thelbësore. Me kërkesën e vazhdueshme globale për ndërtesa të reja, përdorimi i saj për të bërë materiale ndërtimi është një nga idetë e mëdha.
Në një ndërtesë, qëllimi kryesor i një muri është të mbështesë çatinë dhe dyshemenë, dhe të sigurojë mbrojtje nga moti. Për të ndërtuar një mur, duhet të shtresoni disa elementë – ashtu si mund të bëni për një sanduiç ose një burger.
Muri i jashtëm shpesh është bërë me tulla (për tu mbrojtur nga lagështia) dhe muri i brendshëm, me llaç betoni të përfunduar me pllaka gipsi, gati për bojë ose letër-muri. Në mes, në ndërtesat moderne, zakonisht ka një boshllëk (në mënyrë që lagështia të mund të shpëtojë, ose për ta parandaluar atë nga hyrja) e mbushur me izolim: një material i ngjashëm me sfungjer që mban nxehtësinë. Sidomos në vendet më të ftohta, muret duhet të ruajnë nxehtësinë sa më shumë që të jetë e mundur për efikasitetin e energjisë.
Tullat për foletë e zogjve
Në vitin 2019, unë bashkë-zhvillova një tullë të bërë nga mbeturinat plastike shtëpiake duke përdorur printimin në 3D. Ideja për tullën erdhi nga një vend i papritur: foleja e zogut të Baya në Azisë Juglindore.
Ky banor i verdhë i kullotave është i famshëm për shtëpitë e tij të thurura në detaje. Zogu mashkull ndërton folenë duke përdorur thonjtë dhe sqepin e tij për të endur kërcellin e butë të barit dhe shirita të palmave në një formë kapele.
Ekziston një pjesë e sipërme më e madhe ku do të vendosen vezët, me një hyrje të zgjatur poshtë tij, të ngjashme me tunelin. Struktura e endur e folesë mbron vezët nga era, shiu dhe dielli i nxehtë ndërsa ato po inkubohen.
Ne vendosëm të provojmë të ndërtojmë një tullë në një mënyrë të ngjashme. Në vend që të përdorim fibra bimësh, ne dëshironim ta endnim atë me fije plastike. Së pari ne i nxorëm fijet plastike duke përdorur shishet e hedhura plastike të ujit.
Pastaj e vendosëm fillin pastik në një printer 3D. Printeri shkrin fillin dhe, duke përdorur një grykë në formë koni, depozituam plastikën e shkrirë pikërisht aty ku deshëm.
Mendoni sikur po përdorni një krem që del nga një tub. Ne programuam printerin në linja kryqëzore të plastikës së shkrirë në një rrjetë ose model si rrjetë. Pastaj e veshëm rrjetën me një shtresë të jashtme të fortë për të bllokuar ajrin brenda zgavrës për izolim më të mirë.
Tullat tona janë shumë të forta. Hulumtimet kanë treguar se ato mund të përputhen me fortësinë e tullave të zakonshëm të llaçit të çimentos në muret e ndërtesave pesëkatëshe. Ata janë gjithashtu dhjetë herë më të mirë në izolimin e një muri sesa tullat prej balte konvencionale me të njëjtën madhësi.
Lego me madhësinë e tullës
Tulla jonë e frymëzuar nga foleja e zogjve besohet të jetë e para në llojin e saj. Por kjo nuk është e vetmja tullë e bërë nga mbeturinat plastike shtëpiake. Një model tjetër përdor plastikën e copëtuar, pastaj të bluar në pluhur.
Plastika e imët mund të derdhet lehtësisht në një kallëp (model, shabllon) me formë tulle. Pastaj kallëpi transferohet në një furrë për të shkrirë pluhurin plastik para se të kompresohet përfundimisht në një tullë plastike të fortë.
Avantazhi i krijimit të tullave plastike në këtë mënyrë është se ne mund të kombinojmë lloje të ndryshme të plastikës – nga shishet e ujit dhe kartonët e qumështit tek paketimet e ushqimit dhe tapat e shisheve – sepse të gjitha shkrihen në mes të 200C dhe 250C.
Gjithashtu, ato mund të mblidhen dhe bashkohen lehtësisht për të prodhuar një mur – një projekt Lego me madhësi jetësore! Pasi të ndërtohet muri, mund të shtoni baltë ose çimento që ta mbulojë atë në të dy anët – brenda dhe jashtë – për një përfundim më të butë.
Muret me shishe
Metoda më e lirë dhe e zgjuar është përdorimi i mbeturinave plastike ashtu siç janë, në kombinim me materialet tradicionale të ndërtimit – dhe mbeturinat bujqësore.
Studiuesit nga Universiteti De Montfort punuan me sipërmarrësit lokalë në Nigeri për të zhvilluar një shishe Prototipi. Shishet e hedhura të ujit u mbushën me rërë ose ujë për të krijuar një tullë të shisheve të ponderuara, mjaft të forta për t’u ndërtuar, dhe pastaj të bashkuara me argjilë.
E meta me këtë metodë është se nuk mban nxehtësinë. Në vend të kësaj, ftohet një ndërtesë duke thithur rrezet e diellit dhe duke parandaluar rritjen e temperaturave brenda. Ndërsa kjo është pikërisht ajo që ju nevojitet në vendet me klimë tropikale, moti në Britanine e Madhe kërkon më shumë ngrohtësi.
Përveç nevojës për të përshtatur materialet me specifikat e vendit – dhe motin – ku po ndërtoni, duhet të keni kujdes edhe për plastikat e përdorura, pasi disa mund të rezultojnë në çlirimin e helmeve toksike kur ekspozohen ndaj dritës ultraviolet dhe temperaturave të larta. Çka do të thotë se ka ende shumë kërkime dhe punë për t’u bërë në këtë fushë.
Leave a Reply