Shumë ekspertë politikë në Finlandë besojnë se aplikimi i vendit për t’u anëtarësuar në NATO do të jetë edhe më i shpejtë se sa pritet. Rreth 62 përqind e qytetarëve finlandezë e mbështesin anëtarësimin e vendit në organizatën euroatlantike të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Javën e shkuar qeveria ka autorizuar Ministrinë e Jashtme të përgatisë një raport për sigurinë dhe politikën e jashtme të vendit. Timo Lankinen, nënsekretar i shtetit në qeverinë e kryesuar nga kryeministrja Sanna Marin, thotë se raporti është duke u përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme.
“Raporti do të përfshijë, ndër të tjera, një vlerësim të politikës së jashtme dhe të sigurisë, si dhe një vlerësim të politikës së mbrojtjes dhe implikimet për sigurinë e rezervave kombëtare.”
Raporti do të diskutohet në grupe të ndryshme pune ministrore përpara se të dorëzohet në Parlament në muajin prill.
Komisionet parlamentare do të nisin diskutimin e raportit, pasi qeveria ta ketë dorëzuar zyrtarisht në Kuvend.
Gjatë përgatitjes, mund të krijohet një grup monitorues parlamentar për të përpiluar punën e komisioneve dhe për të përgatitur një përgjigje parlamentare për raportin drejtuar qeverisë.
Sipas të dhënave paraprake, vendimet do të merren gjatë pranverës. Raporti pastaj kthehet në këshillin e ministrave.
Në praktikë, iniciativa për një aplikim në NATO do të ndërmerret nga Komiteti i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Qeverisë.
Një vendim i mundshëm për aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO do të merret nga Presidenti i Republikës në bazë të propozimit të qeverisë.
Aplikimi do të dërgohet pasi duket se gjithnjë e më bindshëm po kristalizohet një shumicë e qartë e partive parlamentare dhe popullit që e kërkojnë anëtarësimin.
Zëra të rëndësishëm në krahun e majtë të politikës kanë shprehur haptazi mbështetjen për anëtarësim në NATO. Ndryshimi i qëndrimit të tyre ka ardhur për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Pas qëndrimeve pro të kryeministres socialdemokrate Sanna Marin, drejtues të rëndësishëm të socialdemokratëve, si Eero Heinäluoma, Antti Rinne, Erkki Tuomioja janë shprehur haptas pro anëtarësimit.
Ndër partitë e koaliconit qeverisës, kryetarja e Partisë së Qendrës, Annika Saarikko është shprehur se partia e saj nuk ka pengesa ideologjike për anëtarësimin në NATO. Partia e të Gjelbërve është shprehur qartazi pro NATO-s. Partia e Aleancës së Majtë (komunistëve) me kryetaren Li Andersson, e cila (personalisht) është pro anëtarësimit, ështe shprehur se pavarësisht se partia është ndarë, ata nuk do të largohen nga koalicioni qeverisës nëse merret vendim pro anëtaresimit. Edhe partia e minoritetit suedez është pro NATO-s.
Opozita Kokoomus ështe një nga partitë që ka qenë kurdoherë pro anëtaresimit në NATO, integrimeve të ngushta europiane dhe një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Partia e Finlandezëve të Vërtetë dhe kristiandemokratët janë pro NATO-s.
Nëse ecet sipas parashikimeve, aplikimi zyrtar i Finlandës do të jetë në samitin e radhës të Aleancës Euroatlantike që do të mbahet në qershor në Madrid të Spanjës.
NATO ka thënë se i ka dyert e hapura për Finlandën dhe Suedinë. Pas miratimit në Madrid do të marrë një vit kohë ose më pak për miratimin e vendimit në 30 vendet anëtare.
Leave a Reply